Google search engine
BallinaKulturëTrashëgimia kulturore që po “trashëgon” edhe barrën historike që vjen me të

Trashëgimia kulturore që po “trashëgon” edhe barrën historike që vjen me të

Një shtëpi e një ish-zyrtari shqiptar të kohës së Luftës së Dytë Botërore në qytetin e Mitrovicës është shndërruar në debat politik e moral se a duhet ose jo të restaurohet si monument i trashëgimisë së veçantë kulturore të Kosovës.

Fjala është për rezidencën e ish-Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Xhafer Devës, e cila arkitekturalisht i përket ndërtimeve moderne evropiane dhe perëndimore, nën ideimin arkitektonik austriak.

Njëra prej ndërtimeve të para që përfaqësonte kalimin nga stili oriental dhe turk në atë perëndimor në qytetin e Mitrovicës, ajo është personalizuar me një emër të veçantë. Atë të ministrit kontraverz shqiptar, Xhafer Devës.

Për Devën, duke qenë se historia mund të përmbajë relativizmat e saj, dhe në mungesë të një konsensusi historiograik, atij megjithatë i vendoset një vulë absolute e kolaboracionistit nazist dhe fashist.

Xhafer Deva

Ndonëse Ministria e Kulturës nuk ka thirrur për restaurimin e “figurës së Devës”, por të ndërtesës, kritika që pasoi pati të bëjë kryesisht me personin.

Por çfarë, përkundër pyetjes se kush, ishte Xhafer Deva.

“Xhafer Deva është një nga ato figura kontributi i të cilit në raport me historinë përpara Luftës së Dytë Botërore është modest. Raporti i tij kryesor lidhet pikërisht me aktivitetin e tij politik përgjatë viteve të luftë së madhe”, shpjegon historiani Azdren Shala për Albanian Poist.

“Parë nga ky kontekst i ngjarjeve ai del të jetë një figurë negative gjykuar mbi bazën e parimeve demokratike të shpallura botërisht nga Karta e Atlantikut, ku distancimi dhe rezistenca ndaj nazifashizmit ishte vlera themelore për ta ruajtur rendin demokratik”.

Xhafer Deva dhe shqiptarët në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore

Azdren Shala rikujton për Albanian Post se në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët ishin gjithsesi të vonuar në proceset historike.

“Përkundër fqinjëve dhe të tjerëve në përgjithësi që i kishin mbyllur me kohë proceset qytetëruese, të lirive dhe të drejtave qytetare dhe kombëtare”, tregon ai.

“Prandaj në këtë luftë”, elaboron Shala, “shqiptarëve përveç se u duhej të bëheshin palë në luftën e të mëdhenjve, e kishin të domosdoshme që të angazhoheshin edhe rreth qëllimeve tjera që do t’i fusnin ata në radhën e kombeve të qytetëruara”.

Historiani shqiptar, Asdren Shala

Sipas tij, shqiptarët në atë kohë ishin në mëdyjshe rreth kurseve të veprimit që duhej marrë.

“Një pjesë e shqiptarëve mendonin se vazhdimi i luftës kundër fqinjëve ishte i drejtë, ndërsa një pjesë tjetër kishte qëndrimin e kundërt se rreshtimi me aleatët do sillte edhe realizimin e aspiratave të tyre kombëtare”.

“Të parët duke luftuar fqinjët, u shndërruan në bashkëpunues të nazi-fashizmit. Të dytët duke qenë krahë aleatëve perëndimorë, u gjenden në një front të përbashkët me fqinjët (armiqtë e të parëve)”.

Por, sipas historianit Shala, “gjykuar nga konteksti i atyre zhvillimeve politike të Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht motive ose arsyetimeve të Deves se prioriteti i shqiptarëve është bashkimi me Shqipërinë, rrjedhimisht edhe rreshtimi kundër koalicionit antifashist ka kuptim, përsëri kjo nuk vlen, meqë ekzistonte paralajmërimi se asnjë ndryshim i kufijve i bërë nga nazifashizmi nuk do të njihet”.

“Dhe, tjera, ata pushtues gjermanë që për Deven ishin çelësi i realizimit të shqiptarëve, kishin të njëjtën aleance edhe me serbët. Kështu figura e tij del të jetë një figurë kontradiktore”.

Xhafer Deva

Shpjegimi i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

“Restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash”, tha në një shpjegim të detajuar në llogarinë e tij në Facebook ministri Çeku.

“Monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne europiane. Është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit”.

Hajrulla Çeku thotë se Përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës

“Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët”.

“Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.

Çeku thotë se në asnjë mënyrë nuk synohet të bëhet rishkrim i historisë dhe rehabilitimi i figurave.

“Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë”.

“Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë”, u shpreh Çeku.

Të fundit nga rubrika
- Advertisment -
Google search engine

Më të lexuarat

Më të shikuarat