Google search engine
BallinaOpinione“Shkëlzeni dhe Haziri” (II)

“Shkëlzeni dhe Haziri” (II)

[Recension i librit”  Škeljzen Malići, Kosovo i raspad Jugoslavije, Links, Beograd, 2014; përktheu në gjuhën shqipe Anton Berishaj] 

Pjesa II

Kthimi në Prishtinë

Në fillim të tetëdhjetave Maliqi kthehet nga Beogradi në Prishtinë, ashtu si u kthye gjyshi i tij nga Stambolli në Prizren. Atëherë filloi karriera e tij si publicist politik, politikan, mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe shtytës i formave bashkëkohore të krijimtarisë kulturore.

Për atë kalim nga shtatëdhjetat në tetëdhjetat Maliqi thotë: “Në fakt, deri në mes të viteve tetëdhjeta nuk isha i brengosur për të qenit vonë, mendoja se po më mungonte vetëm qetësia shpirtërore.

Mirëpo, në atë kohë nisi e më kapi historia.” (155) Atmosfera në Prishtinë në fillim të viteve të tetëdhjeta, në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndarjeve të mëdha si dhe përpjekjeve të udhëheqësisë kosovare që me shfaqjen e një besnikërie pothuajse sulmuese ndaj Jugosllavisë, të shpartallojë shpërthimin e nacionalizmit serb, ishte e zymtë.

Edhe pse atë kohë i ati tij i tij ishte ministër i punëve të brendshme të Kosovës, Shkëlzeni nuk ishte në marrëdhënie të mira me pushtetin e kësaj krahine.

Kaluan disa muaj para se të fitonte punën me anë të një konkursi publik. Iu ofrua që edhe ai të merr pjesë në përpjekjet për të shpëtuar autonominë e Kosovës duke iu bashkuar strukturave në pushtet të kësaj krahine. I propozuan që të shkruajë recenson mbi librin e sapo publikuar të diktatorit shqiptar Enver Hoxha “Titistët”.

Duke e kritikuar regjimin në Shqipëri do të hiqej akuza për irredentizëm dhe separatizëm. Shkëlzeni një kohë mendoi që në atë recension të krahasonte ideologun komunist jugosllav Edvard Kadeljin me Enver Hoxhën.

Megjithatë, e kishte të qartë se një tekst i tille në atë kohë nuk do të publikohej, andaj në fund as nuk e shkroi.

Ai kujton se si në atë kohë problemi i tij më i madh  kishte qenë se nuk ka pasur një pozitë të qartë politike, liberale apo socialdemokrate, nga e cila do të mund të shkruante kritikën.

“Kisha vetëm një shije të keqe, më shumë estetike, të lexuesit të dëshpëruar për të cilin këto politika dhe këto diskurse komuniste ishin jo-bindëse, pasi që këta libra ishin shkruar me një fjalor shumë të varfër, ideologjik, propagandistik dhe manipulues. Në një anë, e kam pasur konfuzionin dhe paqartësinë e njëjtë si në vitin 1968, kur gjoja u kryengritëm, a në fakt as nuk e dinim kundër çkaje u kryengritëm”. (168)

Mirëpo, në vitet e tetëdhjeta, vijat e ndarjes nisën të bëheshin edhe më të qarta. Në fund të vitit 1982 Maliqi  shkroi një letër të hapur me të cilën iu përgjigj tezave të akademikut të njohur serb Pavle Iviq rreth shqiptarëve të cilat atëbotë u botuan në javoren e njohur beogradase NIN. Letra e tij së pari u botua në NIN, e pastaj edhe në gazetën zyrtare ditore të Kosovës “Rilindja”. Redaktori beogradas nuk mund të besonte se ky tekst pa asnjë gabim stilistik ose gramatikor në gjuhën serbe ishte shkruar nga një shqiptar.

Ndërsa në Kosovë, ku Shkëlzen Maliqi ishte tërësisht i panjohur, shumica mendonin se ky është një pseudonim me të cilin ndonjë akademik i çmuar kishte publikuar kritikën e tij të argumentuar në mënyrë brilante kundër nacionalizmit serb dhe po mbronte çështjen shqiptare.

Nga ky moment Maliqi bëhet yll i publicistikës, artikujt e të cilit në mënyrë të rregullt po publikoheshin në shtypin slloven, por edhe në shtypin e republikave tjera jugosllave. Kështu ai hyri në një hapësirë politike ku po luftonte betejat në dy fronte: në një anë ishte konfrontimi me nacionalizmin serbomadh, në anën tjetër ishte beteja me provincializmin dhe mbylltësinë e një pjese të madhe të elitës politike dhe intelektuale kosovare.

Njëra nga përpjekjet që të tejkalohen kufizimet e secilës nga pozitat të cilat i kundërshtonte Maliqi, ishte shtytja e themelimit të UJDI-së, Shoqatës për Nismën Demokratike Jugosllave. Mirëpo, kur edhe pas një dekade të vdekjes së Titos Jugosllavia nuk u demokratizua, dhe politika ekspansioniste e Sllobodan Milosheviqit bëri që udhëheqësitë komuniste në republikat tjera t’i kthehen popullit të tyre dhe t’ju mundësojnë zgjedhjet e lira përbrenda kufijve të republikave, kjo nismë u tregua si dështim ani pse u përkrah nga njerëz të respektuar, në mesin e të cilëve ishin edhe antititoistët e gjashtëdhjetetetës Lazar Stojnoviqi dhe Shkëlzen Maliqi.

Nga ajo që shkruan Maliqi, e unë për herë të parë ndeshem me atë informatë pikërisht në  librin e tij, UJDI ka pasur sponsor të fuqishëm nga jashtë.  Përkatësisht, takimi i grupit të intelektualëve nga e tërë ish Jugosllavia në nëntor të vitit 1988 në Zagreb, ku flitej për daljet e mundshme nga kriza jugosllave, dhe ku lindi edhe ideja e themelimi të UJDI-së, ishte financuar nga konsullata e SHBA-së në Zagreb. (32)

Libri Çështja e Kosovës nga Branko Horvati

Po atë vit më 1988 Branko Horvat, ekonomist i njohur jugosllav me reputacion të lakmueshëm ndërkombëtar dhe një kandidaturë për çmimin Nobel pas tij, publikoi librin Çështja e Kosovës. Si intelektual i pakënaqur me faktin se për Kosovën po shkruhej njëanshëm, në mënyrë ndjellakeqe dhe pa i dhënë mundësi të vërtetë zërit të shqiptarëve në atë bisedë, ndërmori studimin e shkaqeve historike, ekonomike, kulturore dhe politike të krizës kosovare dhe propozoi zgjidhje që të dilet prej saj.

Me vetë faktin se zbardhi konceptet e socialdemokracisë serbe të shekullit 20 për të drejtën e shqiptarëve për shtetin e tyre, dhe tregoi se si kjo socialdemokraci kritikoi qëllimet imperialiste dhe politikën keqbërëse të Mbretërisë së Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndezi reagime të ashpra nga një sërë publicistë dhe intelektualë serbë që ishin të angazhuar fuqishëm në kampanjën e heqjes së autonomisë së Kosovës.

Qëndrimi i tij që zgjidhjes së problemit të Kosovës duhet qasur në mënyrë demokratike, shkaktoi edhe më shumë mllef. Ai propozoi që në Kosovë të organizohet referendumi për atë se a duan shqiptarët që Kosova të jetë republikë.

Duke supozuar se përgjigjja do të ishte pozitive, iu mvesh analizës së pasojave të mundshme që do të sillnin ndryshime të tilla në statusin e Kosovës.  Republikat sipas kushtetutës së FSRJ-së kanë pasur të drejtë për vetëvendosje deri tek shkëputja.

Pasi që kërkesat e deriatëhershme për status të republikës u refuzuan me arsyetimin se kjo do të hapte derën për realizimin e planit të fshehtë irredentist për bashkimin me Shqipërinë, që do të ndodhte pas fitimit të statusit së republikës, shfaqej nevoja e përcaktimit ndaj një skenari të tillë, i cili ka qenë shkas i vazhdueshëm i represioneve brutale në Kosovë.

E drejta për shkëputje mund te përdoret, argumentonte Horvat, nëse një bashkësi e caktuar etnike rrezikohet për shkak të mosrespektimit të të drejtave të saja themelore njerëzore dhe politike.

Nëse do të mbahej një referendum demokratik dhe nëse Shqiptarët në Kosovë si të gjithë popujt tjerë jugosllavë do të realizonin  të drejtat e tyre politike, kulturore dhe të tjera, nuk do të ekzistonte as baza ndërkombëtare për shkëputje.

Nëse të gjithë shqiptarët do të donin të jetonin në një shtet, atëherë duhej të krijohej federata Ballkanike nën të cilën do të hynin edhe Jugosllavia me Kosovën dhe Shqipëria. Aq më shumë Horvat në kushtetutën e FSRJ-së nga viti 1974 gjeti shkakun e krizës së federatës Jugosllave.

Mendimi i tij ishte se me këtë kushtetutë u legjitimizua pushteti i oligarkive të partive të republikës në dëm të federatës. Andaj ai ishte për fuqizimin e organeve qendrore të pushtetit jugosllav në bazë të parimeve burimore të dala nga LNÇ-ja.

Kur përmendi të drejtën për shkëputje, Horvat u thirr në praksën e Bashkimit Sovjetik ku ajo e drejtë u pranua për herë të parë, por asnjë sunduesi të kësaj perandorie as nuk i shkoj në mendje që të lejojë realizimin e saj.

Pra, republikave duhej ti merreshin atributet e shtetësisë dhe të pranohen kryesisht vetëm në kuadër të pushtetit federal. Kështu Horvat promovonte statusin e republikës për Kosovën, por njëkohësisht edhe propozonte që ky status të mos nënkuptonte të drejtën që shqiptarët kërkonin, të drejtën për vetëvendosje dhe shkëputje.

Shkëlzen Maliqi në revistën kroate “Gordogan” shkroi për librin e Horvatit. Ndryshe nga stili dhe tezat e shumë kritikëve serbë të cilët e shpallën këtë libër si antijugosllav dhe si pamflet irredentist shqiptar, Maliqi në shkrimin e tij tregoi njohje superiore të fakteve relevante historike si dhe një shkallë lakmuese të objektivizmit dhe paanësisë politike.

Fakti se publiku kulturor dhe politik i Serbisë pothuajse njëzëshëm e shpalli librin e Horvatit si vepër e propagandës armiqësore pro shqiptare, për Maliqin kjo nuk ishte aspak arsye që ta përqafonte si ndihmë të mirëseardhur në mbrojte të interesave kombëtar shqiptar.

Ai, duke e lavdëruar Horvatin për guximin në kundërshtimin e kampanjës së zhurmshme politike kundër shqiptarëve dhe për kërkesat që të dëgjohet edhe zëri i shqiptarëve, me kthjelltësi paraqiti edhe lëshimet në përdorimin e literaturës historike.

Ka përmendur se serbet dhe shqiptarët gjatë shekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20 e kanë përzënë njëri tjetrin nga Kosova dhe territoret përreth, varësisht se cila fuqi e madhe e përkrahte kënd. Me këtë tregoi dobësinë në hyrjen historike të Horvatit, i cili shpërfilli pjesëmarrjen e shqiptarëve në zhvillimin e gostisë së përgjakshme Ballkanike.

Mirëpo në të njëjtën kohë Maliqi konstatoi se duke u kapur për histori, posaçërisht nëse bëhet në mënyrë amatore dhe sipërfaqësore fejtonistike, nuk mund të ndihmohet zgjidhja e krizës Kosovare. Ai shkroi për atë se si Serbia, pas vdekjes së Titos, është duke kërkuar rrënjët e identitetit të saj kombëtar duke e përjetuar përvojën jugosllave si një dështim, si periudhë paqeje ku Serbia humbi atë që kishte fituar gjatë luftërave.

Ky kërkim i rrënjëve nënkuptonte edhe kthimin e ideologjisë imperialiste dhe ringjalljen e mitologjisë politike me të cilën do të arsyetohej shtypja e shqiptarëve dhe mohimi i të drejtave të tyre thelbësore. Gjeti kundërthënie në thirrjen e Horvatit që Kosovës t’i pranohet statusi i republikës me kusht që të mos pranohet e drejta për shkëputje, të cilin ky status e nënkuptonte.

Gjithshtu shkroi se në argumentimin e Horvatit që kërkesat e shqiptarëve të Kosovës nuk  ishin kundra revolucionare mungonte përgjigja në pyetjen kyçe se a ka pas në Kosovë revolucion së pari. Në fund ka konstatuar se “problemi është se paradigma partizane-enobeje-komuniste më nuk funksionon”. (Maliqi 1990:190)

Andaj, në rrethanat e polarizimit të ashpër me të cilin ana serbe e përjetonte librin e Horvatit si armë në duart e shqiptarëve, Maliqi me qetësi vërteton se zgjidhjet të cilat Horvat i parashtron, pavarësisht se përputhen me kërkesat dominante të shqiptarëve të Kosovës për status të republikës, nuk janë të pranueshme sepse në masë të madhe janë të idealizuara dhe nuk i marrin parasysh realitetet e reja politike.

Mendoj se ky recension është shembull përfaqësues i publicistikës së ndriçuar politike të Maliqit e cila për bazë ka njohurinë e thellë të historisë, kulturës, literaturës, artit, filozofisë, sociologjisë dhe praksave të ndryshme intelektuale të cilat ia kanë mundësuar që të formojë një diskurs të kuptueshëm dhe të pranueshëm për lexuesit, të cilët nuk e kanë pasur fatin e keq që të lindin dhe jetojnë në Ballkan.

Thjeshtë, eksplodimi i historisë dhe vetëdijesimi i shpejtuar politik i individëve dhe të gjitha kombeve në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ishin rrethana shtytëse për të shprehur aftësi dhe dituri të cilat Maliqi i ka fituar pa u vërejtur shumë dhe i ka vënë në pyetje në mënyre kritike gjatë edukimit të tij.

Doli se studimi sipas thënies se çka do që mund të shtyhet për nesër assesi nuk duhet publikuar sot, nuk ishte kohë e humbur.

Kjo periudhë e akumulimit të zgjatur të diturisë dhe vetëdijes intelektuale ia mundësoi Maliqit që në vitet e tetëdhjeta të profilizohet si eseist unik politik, i bindshëm dhe i rëndësishëm, artikujt e të cilit në mënyrë të denjë afirmonin interesat e shqiptarëve kosovarë dhe i jepnin politikanëve nëpër tërë Jugosllavinë arsye të mëtutjeshme për kundërshtimin e përpjekjeve të Miloshevqit drejtë realizimit të planeve të tij.

Enigma e qujtur Ibrahim Rugova

Kapitujt e fundit të librit të Maliqit që janë edhe shkas për shkrimin e këtij  artikulli, në masë të madhe përshkruajnë mënyrën e tij të të menduarit gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe polemizojnë me ata të cilët sot deklarojnë se edhe në atë kohë e kanë pasur të qartë se ai, për ndryshim nga ata, ka qenë në pozitat antishqiptare.

Maliqi i cili në atë kohë ka shkruar pa ndalë nuk nguron që tekstet e asaj kohe t’i publikojë në libra pa kurrfarë ndryshime, gjersa një numër i madh i kundërshtarëve të tij do të mund të lavdëroheshim me karriera brenda strukturave të pushtetit të kaluar dhe kryesisht me veprime besnike dhe në përputhje ndaj vijave të partisë në momentin e caktuar.

Kur e kuptoi se e kam ndër mend të shkruaj rreth librit të Maliqit, miku im dhe i tij nga Beogradi Dragomir Olujic Oluja më shkroi: “Libri i Shkëlzenit është me të vërtetë i mire, dhe Xeni është shumë djalë i mire (mik i imi), i ashpër ndaj vetvetes, bujar ndaj tjerëve (dhe për këtë në libër ka plot fjalë si ‘shkel e shko’, ‘kujtime të rrejshme’ dhe ‘pagjindshmëri’).

Mirëpo pavarësisht nga kujtesa e tij me qëllim kështu selektive, në dëm të vetvetes, dhe në dobi të të tjerëve, Maliqi ndaj disave të cilët me siguri e kanë merituar është mjaftë i pa mëshirshëm. Lartë në listën e atyre ndaj të cilëve nuk mund të lëshonte pe është Halit Trnavci, albanolog i Beogradit gjithmonë në shërbim të regjimit serb. Kolegun nga studimet dhe poetin Miodrag Perishiq e përmend si njeri i cili është shndërruar në një nacionalist serb dhe fashist. Sejdë Bajramoviqin të cilin Miosheviqi e instaloi në vend të presidentit të Kosovës në Presidencën e FSRJ-së e quan kumarxhi dhe karikaturë prej njeriut.

Nuk e përmend as për të mirë akademikun Rexhep Qosja me urdhrin e të cilit, është i bindur Maliqi, nga vendi i redaktorëve u larguan Rahman Dedaj dhe Skënder Zogaj për shkak liberalizmit dhe kriticizmit.

Mirëpo njeriu më i rëndësishmi për të cilin Maliqi vështirë gjen fjalë të bukura, edhe pse ndaj tij asnjëherë nuk e tha ndonjë fjalë të keqe, është Ibrahim Rugova, figura më e spikatur politike dhe simboli i rezistencës kosovare ndaj terrorit të pushtetit të Milosheviqit. Rugova i heshtur dhe pasiv paraqet mister të pazgjidhshëm për Maliqin hiperaktiv.

Pas shpalljes së kushtetutës së Kaçanikut në vitin 1990, për të cilën meritat e Rugovës janë të padiskutueshme, erdhi periudha e mos aktivitetit të përgjithshëm, ose të paktën mungesave të aktivitetit në krahasim me dinamikën e ngjarjeve politike në  territorin e ish Jugosllavisë.

Rugova nuk iu përgjigj thirrjeve të udhëheqësisë kroate që të organizon rezistencë të armatosur ndaj regjimit të Milosheviqit dhe të merr pjesë në ndaljen e realizimit të ambicieve të tij.

Duke besuar verbërisht në ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Rugova vetëm priste, duke refuzuar të ndërmerr çfarëdo masa dhe po thuajse në tërësi paralizoi Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e kryesonte.

Kryengritja e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila në fund provokoi një reagim aq të ashpër gjenocidal nga regjimi i Milosheviqit sa që bashkësia ndërkombëtare u detyrua të organizojë intervenime të armatosura humanitare, ndodhi pavarësisht Rugovës dhe partisë së tij.

Pas kësaj, komuniteti ndërkombëtar, së pari Amerika, e përkrahi udhëheqësin e ri të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaqin. Mirëpo Rugova ende mbeti figura politike numër një në Kosovë.

Dy herë me radhë partia e tij i fitoi zgjedhjet dhe ai ishte dy herë president i Kosovës. E gjithë dituria e Maliqit dhe përvoja e tij jetësore nuk i ndihmuan në shpjegimin e enigmës së quajtur Rugova. Në atë sjelljen thuajse në jerm të Rugovës a kishte ndonjë logjikë të fshehur e cila pa gabim çoi deri te pavarësia e Kosovës, ndonjë dituri që për të tjerët nuk ishte prezent? A do të vinte më herët pavarësia nëse Rugova do të ishte më luftarak apo kjo vetëm sa do ta pamundësonte atë?  Kosova sot është e pavarur dhe përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, edhe nëse do të ishte e mundur të gjinden, nuk do të kishin asnjë vlerë praktike.

Por ja se intelektualët merren me pyetje të tilla.

Gjyshi Hazir dëshmon për rënien e një lloji të integrimit të gjerë ndërkombëtar dhe kthehet me dhunë nga Stambolli, kryeqyteti i asaj bote në shuarje, kthehet në Prizren. Shkëlzeni më bindshëm se tjerët përshkroi shkatërrimin e një tjetër integrimi të pasuksesshme mbi-kombëtar në të cilin shqiptarët shpesh ishin viktima. Me qëndrimet e tij i hapi rrugën pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në botën e liberalizuar të demokracisë.

Nëse si hap të parë në atë rrugë e marrim themelimin e UJDI-së, që për qëllim kryesor kishte heqjen e monopolit komunist mbi pushtetin dhe demokratizimin e Jugosllavisë, atëherë përballemi me paradoksin se themelimi i kësaj shoqate, themeluesit e së cilës me listë ishin të gjithë të majtë jugosllaven, u nxit nga mburoja e shenjtë (egjida) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kthim të rëndësishëm në ngjarjet në Kosovë paraqiti themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anëtarët e shumtë të së cilës ishin anëtarët e  deri djeshëm të grupeve radikale marksiste-staliniste-enveriste. Dhe suksesi i tyre u mundësua duke iu falënderuar përkrahjes amerikane.

Se sa e fuqishme ishte ajo përkrahje u binda në vitin 1999, kur sekretarja topolake e atëhershme e shtetit Madeline Albright para pjesëmarrësve të habitur të NATOS- në seminarin Rose-Roth në Tiranë përqafoi fort udhëheqësin e ri dhe shtatgjatë të UÇK-së Hashim Thaqin.

Një vit më pas, në një takim të përgatitur shkel e shko në kuadër të përpjekjeve për themelimin e Këshillit të demokracive në Berlin, ajo njësoj fort e përqafoi favoritin tjetër të saj, ministrin e atëhershëm të punëve të jashtme Joschka Fischerin.

Shpresoj, së bashku me Shkëlzen Maliqin se këto gjeste të afërsisë dhe mirëseardhjes paralajmërojnë kohëra më të lumtura për te gjithë njerëzit dhe popujt të cilët deri dje nëpër shtete jo demokratike kanë përjetuar kataklizma nëpër cilat ka kaluar edhe Kosova.

Të fundit nga rubrika
- Advertisment -
Google search engine

Më të lexuarat

Më të shikuarat