Google search engine
BallinaBiznesePërballë kolapsit ekonomik, bizneset i drejtojnë qeverisë 9 kërkesa

Përballë kolapsit ekonomik, bizneset i drejtojnë qeverisë 9 kërkesa

Bizneset vendase, përmes një deklarate të përbashkët, kanë njoftuar se ndodhen në vështirësi financiare për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

“Kërcënohemi përballë një kolapsi ekonomik dhe social, pasi efekti që krijohet nga rritja e çmimeve, tani do të jetë zinxhir me ndikim në të gjithë sektorët e ekonomisë”, kanë thënë ata.

Kriza, sipas tyre, po i çon drejt falimentimit pasi energjinë po e paguajnë me një kosto shumë të lartë.

“Bizneset e mëdha prodhuese nuk mund ta përballojnë të vetme një rritje kaq të madhe të çmimit të energjisë elektrike, jemi të pambrojtur nga këto luhatje të tregut qoftë ndërkombëtar por edhe nga tarifat e shpërndarjes që ofrohen nga tregu vendas”, ka vijuar deklarata.

Sakaq, kanë paralajmëruar se kjo do të reflektohet edhe te kostoja e produkteve të tregut të konsumatorëve.

Shpenzimet për energjinë elektrike, tregojnë bizneseve, zënë një pjese të konsiderueshme të kostos së prodhimit të çdo produkti dhe varion nga 20 deri në 40 për qind.

Prandaj dhe ata i drejtojnë nëntë kërkesa qeverisë, duke njoftuar se do të marrin masa në rast se nuk marrin një përgjigje nga qeveria deri në datën 10 mars.

Në kërkesa, bizneset duan heqjen e kufizimit ligjor prej 0.5 MW të energjisë së rinovueshme për vetëkonsum dhe lejimin në vlerë të barabartë me fuqinë e instaluar të operatorit ekonomik.

Kërkojnë realizimin e matjes së balancës së konsumit dhe emetimit të energjisë në bazë vjetore.

Dhe që Qeveria të krijojë një mekanizëm për subjektet prodhuese të industrisë ushqimore që furnizohen në tensionin 35 dhe 110 kilovat për të qenë në të njëjtat kushte si konsumatorët e tjerë të këtij sektori.

Nga ana tjetër, kërkojnë që Qeveria të krijojë një instrument financiar kompensimi për subjektet prodhuese që furnizohen në tensionin 35 dhe 110 kilovat.

Në deklaratë, bizneset kërkojnë edhe garantimin e parametrave të cilësisë së furnizimit me energji elektrike sipas standardeve të BE-se dhe stimulimin e investimeve edhe në Hidrocentrale.

Një rëndësi të veçantë për ta ka edhe deklarimi nga ana e qeverisë i datës se kur do të bëhet funksionale Bursa Shqiptare e Energjisë.

Kurse për investimet në prodhimin e energjive të rinovueshme për vetëkonsum, ata kërkojnë financimin 50 për qind me kontributin e qeverisë dhe mbulimin e financimeve me kredi 100 për qind të vlerës së investimit nga garancia sovrane.

Sakaq, për zbatimin e kërkesave të tyre, nevojitet që Qeveria të formalizojë ngritjen e një grupi pune në përbërje të të cilit të ketë ekspertë nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësues të organizatave të Biznesit.

Të fundit nga rubrika
- Advertisment -
Google search engine

Më të lexuarat

Më të shikuarat