Kombëtarja e Burkina Fasos do ta zhvillojë një ndeshje miqësore me Kosovën më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për këtë ndeshje, trajneri i kombëtares afrikane, Oscar Barro, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar, ku nuk mungojnë edhe emrat e njohur të këtij ekipi.
Mbrojtësi i Bayer Leverkusen, Edmond Tapsoba, është futbollisti i cili ka vlerën më të madhe në këtë skuadër, ku sipas “Transfermarkt” vlerësohet 40 milionë euro.
Në listën e trajnerit, Barro-s nuk mungon as ylli tjetër i kësaj skuadre, Bertrand Traore, i cili është pjesë e skuadrës angleze, Aston Villa.
Burkina Faso është një kombëtare në ngritje, e cila pozicionohet në vendin e 56-të në ranglistën botërore të FIFA-s.
Ata së fundmi patën një sukses tejet të lartë, të cilët arritën deri në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës, ku më pas u eliminuan në penallti nga fituesit e këtij kompeticioni, Senegali.
Kujtojmë që Kosova përveç kësaj ndeshje, do ta zhvillojë edhe një tjetër miqësore, atë kundër Zvicrës, që do të luhet më 29 mars në Zurich.