Google search engine
BallinaOpinioneNdjekjet penale të Rusisë për krime lufte janë ende me peshë

Ndjekjet penale të Rusisë për krime lufte janë ende me peshë

Kelebogile Zvobgo & Nathaniel Liu

Tri javë pas pushtimit rus, Ukraina po lufton edhe në rrugë, edhe në sallën e gjyqit.

Tri gjykata ndërkombëtare po hetojnë mizoritë e supozuara të kryera nga Rusia.

Në këtë pikë, fati i Ukrainës varet nga ajo që ndodh në fushën e betejës, por këto procedura gjyqësore ende kanë rëndësi.

Paçka se është vështirë të imagjinohet presidenti Vladimir Putin në bankën e të akuzuarve në Hagë, gjykimet kundër Rusisë mund të forcojnë solidaritetin ndërkombëtar me Ukrainën, të përforcojnë normat kundër luftës agresive ekspansioniste dhe ta bëjnë jetën më të vështirë në planin afatgjatë për anëtarët e ushtrisë dhe qeverisë ruse.

Organi i parë ndërkombëtar që nisi procedurat ishte Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me detyrën për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis vendeve.

Ukraina, në një dosje të 26 shkurtit, pretendon se Rusia ka planifikuar të kryejë gjenocid dhe po e bën këtë duke i vrarë me dashje ukrainasit, për shkak të kombësisë së tyre.

Po ashtu paraqet argumentin më të ri se Rusia e shkeli konventën, duke pretenduar në mënyrë të rreme, si arsye për fillimin e luftës, se Ukraina po kryente gjenocid.

Nëse gjykata vendos në favor të Ukrainës, ajo mund të urdhërojë Rusinë të ndalojë operacionet ushtarake, të rivendosë kufijtë e paraluftës dhe ta kompensojë Ukrainën për dëmet.

Këto, me një paralajmërim të jashtëzakonshëm: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbështetet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të zbatuar vendimet e saj.

Si një anëtare e përhershme e këshillit, Rusia mund të vërë veton ndaj zbatimit.

Për më tepër, ka një mbështetje nga anëtarët e tjerë të këshillit: India dhe Kina abstenuan në një votim të OKB-së që kërkonte tërheqjen e Rusisë nga Ukraina.

Edhe nëse Rusia nuk do të ishte në Këshillin e Sigurimit, madhësia e ushtrisë së saj dhe statusi si fuqi bërthamore mund të pengonte zbatimin.

Megjithatë, edhe një vendim i pazbatuar i gjykatës do të afirmonte në mënyrë simbolike norma kaq të rëndësishme, si e drejta e Ukrainës për integritet dhe sovranitet territorial, apo mbrojtja e civilëve gjatë kohës së luftës.

Çka mund të ndihmojë në ruajtjen e vendosmërisë ndërkombëtare për të mbajtur presionin ndaj Rusisë.

Gjithashtu Ukraina po ndjek përgjegjësinë nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila ndjek penalisht individët dhe jo shtetet.

Kryeprokurori Karim Khan, më 28 shkurt, ka njoftuar se do të hetonte mizoritë e dyshuara në Ukrainë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, e krijuar nga Statuti i Romës në vitin 1998 dhe funksionale që nga viti 2002, ka juridiksion mbi 123 vende anëtare.

Edhe pse Ukraina nuk është anëtare, ka pranuar juridiksionin e saj për të hetuar personat e akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid brenda kufijve.

Përpjekjet e tjera për t’i bërë përgjegjës shtetasit e shteteve jo-anëtare kanë qenë të paefektshme. Sidomos për fuqitë botërore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk janë anëtare të gjykatës, kanë refuzuar prej vitesh juridiksionin e saj mbi personelin e SHBA-ve, përfshirë abuzimet e dyshuara gjatë luftës në Afganistan.

Në mënyrë efektive, gjykata e ka braktisur anën amerikane të hetimit, për shqetësimin e avokatëve të drejtësisë globale.

Mirëpo, ndjekja e qytetarëve të Rusisë mund të ndihmojë për të rivendosur një pjesë të legjitimitetit që gjykata ka humbur për favorizimin e supozuar të superfuqive.

Gjykata, në të vërtetë, ka mbështetjen e dhjetëra vendeve për të hetuar mizoritë e lidhura me rusët.

Edhe nëse oficerët dhe ushtarët rusë nuk dalin kurrë në gjyq para gjykatës, aktakuzat mund t’i bëjnë ata objektiva të ndalimeve të udhëtimit dhe sanksioneve të tjera.

Në çdo rast, udhëtimi jashtë vendit do t’i bënte ata të pambrojtur ndaj arrestimit nga shtetet anëtare të gjykatës si Franca dhe Gjermania, të cilat janë të detyruara t’i arrestojnë të arratisurit nga gjykata sipas Statutit të Romës.

Ukraina ka paraqitur edhe një çështje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo gjykatë ka detyrën të shqyrtojë shkeljet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1959 nga anëtarët e Këshillit të Evropës, organizatë që përfshin Ukrainën dhe Rusinë.

Ajo dha një masë të përkohshme më 1 mars, duke urdhëruar Rusinë të ndërpresë sulmet ushtarake kundër civilëve dhe të sigurojë qasje të papenguar në ndihma humanitare.

Megjithatë, sulmet vazhdojnë dhe Rusia ka dështuar t’i respektojë korridoret humanitare për të cilat ka rënë dakord.

Teksa ukrainasit vazhdojnë të regjistrojnë video të bombardimeve të civilëve në qytete si Kiev-i dhe Kharkiv-i, provat kundër Rusisë shtohen.

Do të ishte kuptimplotë që gjykata ta bënte sjelljen e keqe ruse pjesë të rekordit të së drejtës ndërkombëtare.

Në Perëndim, disa figura të shquara kanë bërë thirrje për një gjykatë ad hoc për të ndjekur penalisht krimin e agresionit të pajustifikuar ushtarak, mbi të cilin gjykatat e tjera nuk kanë autoritet.

Një gjykatë e posaçme do t’i lejonte SHBA-të të anashkalonin Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe të shmangnin akuzat për hipokrizi.

Kjo pasi ka argumentuar prej kohësh se gjykatës i mungon juridiksioni mbi shtetasit jo-anëtar.

Çfarë vjen më pas?

Të tre gjykatat po veprojnë me vendosmëri.

Seancat dëgjimore kanë filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe hetimi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale është duke lëvizur pas ngrirjes për më shumë se një vit.

Sakaq, Gjykata Evropiane ka deklaruar se ka arsye për të besuar se forcat ruse po kryejnë mizori, diçka që ka qenë e ngadaltë për ta bërë në të kaluarën.

Gjykatat ndërkombëtare kanë një histori të përzier me dhënien e drejtësisë, veçanërisht gjatë konflikteve të vazhdueshme.

Por ato nuk funksionojnë në vakum.

Kur kombinohen me mjete të tjera diplomatike dhe politike, vendimet mund të kundërshtojnë propagandën e Moskës mbi arsyet e pasinqerta “humanitare” të Rusisë për pushtim.

Gjithashtu mund të demonstrojnë dhe përforcojnë gatishmërinë e rendit global për të zmbrapsur Rusisë përmes mjeteve demokratike dhe ligjore.

Të fundit nga rubrika
- Advertisment -
Google search engine

Më të lexuarat

Më të shikuarat