Google search engine
BallinaPolitikëMazokizmi i Gërdecit është rrëfimi i një Shqipërie që nuk arrin të...

Mazokizmi i Gërdecit është rrëfimi i një Shqipërie që nuk arrin të ndryshojë

Një pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet e pjesshme, nuk është se e priste njeri. Por, një performancë minimale – siç ndodhi – po ashtu!

Ashtu si pritej, vendoret e gjashtë bashkive të mbetura pa kryetar, të cilat u mbajtën për të shlyer vakancat e një viti të mbetur deri në zgjedhjet lokale të 2023-shit, nuk prodhuan ndonjë ndjesi të madhe.

Në pesë prej bashkive, është e qartë se socialistët kanë fituar me ndryshore të thellë.

I vetmi vend ku beteja u zhvillua mes të majtës e të djathtës, ishte Shkodra dhe ku duket se lëvizja e Sali Berishës nën siglën “Shtëpia e Lirisë”, do të jetë e epërme.

Megjithatë, rrëfimi nuk ka nevojë të zhvillohet në një spektër aq të gjerë komunitar.

Mjafton një fshat i vogël, por me një të kaluar të dhimbshme, që të kuptohet se çfarë ndodhi dje në gjithë vendin.

Gërdeci është një vend famëkeq, për shkak të shpërthimit të stërmadh që ka ndodhur aty në 2008, në një fabrikë demontimi të armëve. Shpërthim që solli vdekje, dhimbje dhe e ktheu fshatin në fantazmë.

14 vjet më pas, vëmendja kthehet tek ai.

As 200 vota nuk janë hedhur në kutitë e Gërdecit e prapëseprapë, aty struket i gjithë rrëfimi i politikës shqiptare.

Është e vërtetë se Partia Socialiste, ka marrë 140 vota – numrin dërrmues.

Por, të gjithë, e dinin se beteja e vërtetë me rëndësi politike, është ajo brenda dy fraksioneve të Partisë Demokratike. Asaj zyrtare të Lulzim Bashës dhe lëvizjes së Berishës.

Ky i fundit, me shpërthimin e Gërdecit që i rëndon në karrierën tre-dekadente, ia doli sërish të dilte mbi dishepullin e tij, Bashën, me thuajse katër herë më shumë vota.

Edhe pse ndryshorja mund të duket e pakët, 43 për Berishën dhe 11 për Bashën, ajo e kornizon atë çfarë ka ndodhur më 6 mars në Shqipëri.

“Një sadist, është njëkohësisht edhe një mazokist”, do të nguliste në rrënjët e teorive të psikologjisë seksuale Sigmund Freud, në vitin e largët 1905.

Por, duket se këtë herë, sado-mazokizmi i një populli në vuajtje, e ka gjetur rrëfenjën brenda rrethit vicioz lider-popull.

Gërdeci e ka kaluar një dhimbje të madhe në 2008-ën. Një dhimbje, të cilën ende e vuan shumë, për shkak se gjyqet vijojnë e drejtësi akoma nuk ka pasur.

Mirëpo, dhimbja, ende nuk po gjen përgjigjen e saj.

Të fundit nga rubrika
- Advertisment -
Google search engine

Më të lexuarat

Më të shikuarat