Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të Koduar “Nine”, duke proceduar penalisht administratorët e nëntë subjekteve “call center”.
Konkretisht ata janë shtetasit A. R., 52 vjeç, A. D., 27 vjeç, S. D., 26 vjeç, F. K., 28 vjeç, B. K., 29 vjeç, K. O., 26 vjeç, I. S., 34 vjeç, O. M., 54 vjeç, dhe K. T., 26 vjeç.
Të gjithë këta akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar punën e tyre si administratorë dhe menaxherë në disa “call center” të ndryshëm në qytetin e Tiranës, dyshohet se mashtronin shtetasit e huaj, kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian, që të investonin në bursë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.