Google search engine
BallinaOpinioneDobësia e Despotit

Dobësia e Despotit

David J. Remnick

Biografi i Stalinit diskuton mbi Putinin, Rusinë dhe Perëndimin.

Stephen Kotkin është një nga studiuesit më të thellë dhe më të mrekullueshëm të historisë ruse. Kryevepra e tij është një biografi mbi Josef Stalinin. Deri më sot, ai ka botuar dy vëllime “Paradokset e pushtetit, 1878-1928”, me të cilin ishte finalist për çmimin Pulitzer, dhe “Duke pritur Hitlerin, 1929-1941”.

Një vëllim i tretë do të përçojë historinë nga Lufta e Dytë Botërore, te vdekja e Stalinit më 1953 dhe trashëgiminë totalitare që formësoi pjesën e mbetur të përvojës sovjetike.

Duke përfituar nga arkivat e ndaluara prej kohësh në Moskë dhe gjetkë, Kotkin ka shkruar një biografi për Stalinin, e cila qëndron mbi ato të historianëve, si: Isaac Deutscher, Robert Conquest, Robert C. Tucker dhe të tjerëve.

Kotkin ka një reputacion të shquar në qarqet akademike. Ai është profesor i historisë në Universitetin Princeton dhe anëtar i lartë në Institutin Hoover të Universitetit të Stanfordit. Ka një mori burimesh në fusha të ndryshme të Rusisë bashkëkohore: qeveri, biznes, kulturë.

Edhe parimor, edhe pragmatik, ai është më në brendi të situatës se çdo gazetar apo analist që njoh. Qëkur u takuam në Moskë, shumë vite më parë – Kotkin po bënte kërkime në qytetin industrial stalinist të Magnitogorsk – kuptova se udhëzimet e tij për gjithçka, nga struktura e regjimit të Putin-it deri te rrënjët e atij regjimi në historinë ruse, janë të paçmueshme.

Në krye të kësaj jave, fola me Kotkin-in për Putin-in, pushtimin e Ukrainës, përgjigjen amerikane dhe evropiane, dhe atë që vjen më pas, duke përfshirë mundësinë e një grushti shteti në pallat në Moskë.

E gjithë biseda jonë, e cila u shfaq në një video, është edituar e plotë më poshtë.

Ne kemi dëgjuar zëra si në të kaluarën, edhe në të tashmen, sipas të cilëve, arsyeja për atë që ka ndodhur është, siç e tha George Kennan, “gabimi strategjik i zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes”. Historiani i fuqishëm i shkollës realiste, John Mearsheimer, këmbëngul se një pjesë e madhe e fajit për atë që po dëshmojmë duhet t’u shkojë Shteteve të Bashkuara. Mendova të fillonim me analizën tuaj mbi këtë argument?

Unë kam vetëm respektin më të madh për George Kennan dhe John Mearsheimer është një studiues gjigant. Por, me gjithë respektin, nuk jam dakord. Problemi me argumentin e tyre është se supozon se, nëse NATO nuk do të zgjerohej, Rusia nuk do të ishte e njëjtë, ose ka shumë të ngjarë nuk do të ishte afër asaj që është sot.

Ajo që kemi sot në Rusi, nuk është një lloj befasie. Nuk është një lloj devijimi nga një model historik. Shumë përpara se të ekzistonte NATO – në shekullin e nëntëmbëdhjetë – Rusia ishte e ngjashme me të sotmen: kishte një autokrat në krye. Kishte represion. Kishte militarizëm. Kishte dyshime për të huajt dhe Perëndimin.

Kjo është një Rusi që ne e njohim, pra nuk është një Rusi që mbërriti dje, ose në vitet pas 1990. Nuk është një përgjigje ndaj veprimeve të Perëndimit. Ka procese të brendshme në Rusi, që kanë vlerë qartësuese për atë se ku jemi sot.

Madje, do të shkoja më tej. Unë do të thosha se zgjerimi i NATO-s na ka vënë në një pozicion më të mirë për të trajtuar këtë model historik të Rusisë që po e shohim përsëri sot.

Ku do të ishim tani, nëse Polonia apo shtetet baltike nuk do të ishin në NATO? Ata do të ishin në të njëjtën harresë, në të njëjtën botë ku ndodhet Ukraina sot.

Në fakt, anëtarësimi i Polonisë në NATO forcoi shtyllën kurrizore të NATO-s.

Ndryshe nga disa nga vendet e tjera të NATO-s, Polonia i është vënë kundër Rusisë shumë herë. Në fakt, mund të argumentohet se Rusia ka dalë huq dy herë në Poloni: së pari në shekullin e nëntëmbëdhjetë, deri në shekullin e njëzetë, dhe përsëri në fund të Bashkimit Sovjetik, me lëvizjen “Solidarnos”.

Kështu që George Kennan ishte një studiuesit dhe njohës jashtëzakonisht i rëndësishëm – eksperti më i madh i Rusisë që ka jetuar ndonjëherë – por thjesht nuk mendoj se fajësimi i Perëndimit është analiza e duhur për situatën ku jemi.

Kur flisni për dinamikën e brendshme të Rusisë, ju sjell ndër mend një artikull që keni shkruar për “Foreign Affairs”, gjashtë vjet më parë, i cili fillonte: “Për gjysmë mijëvjeçari, politika e jashtme ruse është karakterizuar nga ambicie të larta që kanë tejkaluar aftësitë e vendit. Duke filluar me mbretërimin e Ivanit të Tmerrshëm në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, Rusia arriti të zgjerohej me një normë mesatare prej pesëdhjetë milje katrorë (rreth 139 km2) në ditë për qindra vjet, duke mbuluar përfundimisht një të gjashtën e tokës”. Ju vazhdoni të përshkruani tre “momente kalimtare” të epërsisë ruse: së pari gjatë sundimit të Pjetrit të Madh, pastaj fitorja e Aleksandrit I mbi Napoleonin dhe më pas, natyrisht, fitorja e Stalinit ndaj Hitlerit. Dhe pastaj ju thoni se, “duke përjashtuar këto momente epërsie, gjithsesi, Rusia ka qenë pothuajse gjithmonë një fuqi e madhe relativisht e dobët”. Pyes veten nëse mund ta zgjeroni këtë dhe të flisni sesi dinamika e brendshme e Rusisë ka çuar në momentin aktual nën udhëheqjen e Putin-it.

Ne patëm këtë debat për Irakun. A ishte Iraku ashtu siç ishte për shkak të Sadamit, apo Sadami ishte ashtu siç ishte për shkak të Irakut?

Me fjalë të tjera, është personaliteti, i cili nuk mund të mohohet, por ka edhe faktorë strukturorë që formojnë personalitetin. Një nga argumentet në librin tim për Stalinin, ishte se të qenit diktator, të qenit në krye të fuqisë ruse në botë në ato rrethana dhe në atë periudhë kohore, e bëri Stalinin ai që ishte dhe jo anasjelltas.

Rusia është një qytetërim i jashtëzakonshëm: në art, muzikë, letërsi, balet dhe film. Në çdo sferë, është një vend i thellë, i jashtëzakonshëm – një qytetërim i tërë, më shumë se një vend. Në të njëjtën kohë, Rusia ndjen se ka një “vend të veçantë” në botë, një mision të veçantë.

Është ortodokse lindore, jo perëndimore. Dhe dëshiron të shquhet si një fuqi e madhe. Problemi i saj nuk ka qenë gjithmonë kjo ndjenjë e vetvetes apo identitetit, por fakti që aftësitë e saj nuk kanë qenë kurrë e njëjtë me aspiratat e saj. Është gjithmonë në një luftë për të përmbushur këto aspirata, por nuk mundet, sepse Perëndimi ka qenë gjithmonë më i fuqishëm.

Rusia është një fuqi e madhe, por jo fuqia e madhe, me përjashtim të atyre pak momenteve të historisë që sapo i numëruat.

Në përpjekje për t’u përballur me Perëndimin ose të paktën për të menaxhuar diferencën midis Rusisë dhe Perëndimit, ata përdorin forcën.

Ata përdorin një qasje të rëndë të centralizuar shtetërore për të mposhtur vendin që kanë përpara, në mënyrë që, ushtarakisht dhe ekonomikisht, ose të përputhen, ose të konkurrojnë me Perëndimin. Dhe kjo funksionon për një periudhë kohe, por shumë sipërfaqësisht.

Rusia ka momente vrulli të rritjes ekonomike, dhe në ato momente ajo ndërton ushtrinë e saj, dhe pastaj, natyrisht, godet një mur. Më pas, ka një periudhë të gjatë ndaljeje ku problemi përkeqësohet. Vetë përpjekja për të zgjidhur problemin e përkeqëson atë më tepër dhe hendeku me Perëndimin zgjerohet. Perëndimi ka teknologjinë, rritjen ekonomike dhe ushtrinë më të fortë.

Pjesa më e keqe e kësaj dinamike në historinë ruse është gërshetimi i shtetit rus, me personalitetin e një sundimtari. Në vend që të ndërtojnë shtetin e fortë që duan, për të menaxhuar hendekun me Perëndimin dhe për ta shtyrë dhe çuar Rusinë në nivel më të lartë, ata formojnë një regjim personalist.

Krijojnë një diktaturë, e cila zakonisht kthehet në despotizëm. Ata gjenden brenda kësaj ndërthurjeje sepse nuk mund të heqin dorë nga ajo ndjenjë e të qenit të veçantë, nga ajo aspiratë për të qenë fuqia më e madhe. Mirëpo nuk arrijnë të krijojnë këtë përputhje në realitet. Euroazia është shumë më e dobët se modeli anglo-amerikan i pushtetit. Irani, Rusia dhe Kina, me modele shumë të ngjashme, po përpiqen të gjithë të kapin Perëndimin, duke u përpjekur të menaxhojnë Perëndimin dhe këtë diferencial në fuqi.

Çfarë është Putinizmi? Nuk është njësoj si Stalinizmi. Sigurisht që nuk është njësoj si Kina e Xi Jinping-ut apo regjimi në Iran. Cilat janë karakteristikat e tij të veçanta dhe pse ato karakteristika të veçanta e kanë çuar atë në dëshirën për të pushtuar Ukrainën, që duket një akt jashtëzakonisht i pamenduar, pa e diskutuar që është edhe brutal?

Atëherë, lufta zakonisht është një llogaritje e gabuar. Ajo bazohet në supozime, gjëra që ju besoni se janë të vërteta ose dëshironi të jenë të vërteta. Sigurisht, ky nuk është i njëjti regjim si ai i Stalinit, apo as si ai i Carit. Ka pasur një ndryshim të jashtëzakonshëm: urbanizimi, nivele të larta të arsimit. Bota jashtë është transformuar. Dhe kjo është tronditja. Tronditja është se, edhe pse shumë ka ndryshuar, megjithatë ne ende po shohim të njëjtin model nga i cili ata nuk po mund të arrijnë të shpëtojnë.

Ju keni një autokrat në pushtet – madje tani një despot – i cili i merr vendimet plotësisht vetë. A merr ai mendime nga të tjerët? Ndoshta. Ne nuk e dimë se si është gjendja brenda. A u kushton ai vëmendje atyre? Ne nuk e dimë. A i sjellin ata informacione që ai nuk dëshiron t’i dëgjojë? Kjo duket e pamundur. A mendon ai se di çdo gjë më mirë se të gjithë të tjerët? Kjo duket shumë e mundshme. A beson ai propagandën e tij apo pikëpamjen e tij konspirative për botën? Edhe kjo duket e mundshme. Por këto janë supozime. Shumë pak njerëz flasin me Putin-in, qoftë rusë apo të huaj.

Dhe kështu ne mendojmë, por nuk e dimë, se ai nuk po merr gamën e plotë të informacionit. Ai po merr atë që dëshiron të dëgjojë. Në çdo rast, ai beson se është superior dhe më i zgjuar. Ky është problemi i despotizmit. Kjo është arsyeja pse despotizmi, apo edhe thjesht autoritarizmi, është i gjithëfuqishëm dhe i brishtë në të njëjtën kohë. Despotizmi krijon rrethanat e minimit të tij. Informacioni përkeqësohet. Sikofantët bëhen më të mëdhenj në numër. Mekanizmat korrigjues bëhen më të pakët. Dhe gabimet bëhen shumë më të rëndësishme.

Putin besonte, me sa duket, se Ukraina nuk është një vend i vërtetë dhe se populli ukrainas nuk është një popull i vërtetë, se ata janë një popull me rusët. Ai besonte se qeveria ukrainase ishte e brishtë. Ai besonte atë që i thanë, ose donte të besonte për ushtrinë e tij, se ajo ishte modernizuar deri në atë pikë sa mund të organizonte jo një pushtim ushtarak, por një grusht shteti rrufe, për të marrë Kievin brenda pak ditësh dhe/ ose për të instaluar një qeveri kukull, ose për të detyruar qeverinë dhe Presidentin aktual të nënshkruajnë disa dokumente.

Por mendoni për Pranverën e Pragës, në gusht 1968. Leonid Brezhnev dërgoi tanket e Traktatit të Varshavës për të ndalur “socializmin me fytyrë njerëzore”, lëvizjen e reformës komuniste të Aleksandër Dubçekut. Brezhnev vazhdonte t’i thoshte Dubçekut “Ndalo!”, “Mos e bëni këtë” se “Po e shkatërron komunizmin. Dhe, nëse nuk ndaloni, ne do të hyjmë”.

Brezhnjevi hyri dhe ata morën Dubçekun dhe udhëheqësit e tjerë të Çekosllovakisë në Moskë. Por nuk kishin një regjim kukull për të instaluar. Në Kremlin, Brezhnevi pyeti Dubçekun, pasi dërgoi tanket dhe e kapi, se çfarë duhet të bënin tani? Duket qesharake, dhe ishte qesharake. Por, sigurisht, ajo bazohej në llogaritjet e gabuara dhe keqkuptimet. Dhe kështu ata e kthyen Dubçekun në Çekosllovaki dhe ai qëndroi në pushtet (deri në prill 1969), pasi tanket kishin hyrë për të shtypur Pranverën e Pragës.

Një shembull tjetër është ajo që ndodhi në Afganistan, në vitin 1979.

Bashkimi Sovjetik nuk e pushtoi Afganistanin. Ai bëri një grusht shteti në Afganistan, duke dërguar forca speciale në kryeqytetin e Kabulit. Atje vrau udhëheqjen afgane dhe vendosi një kukull, Babrak Karmal, i cili ishte fshehur në mërgim në Çekosllovaki. Ishte një sukses i plotë, sepse Forcat Speciale Sovjetike ishin vërtet të mira. Por, ata vendosën se mund të kishin nevojë për siguri në Afganistan për regjimin e ri. Kështu që dërguan të gjitha llojet e regjimenteve të ushtrisë për të krijuar sigurinë dhe përfunduan me një kryengritje dhe me një luftë dhjetëvjeçare që e humbën.

Me Ukrainën, ne supozonim se mund të ishte një version i suksesshëm i Afganistanit, por nuk rezultoi kështu. Doli se populli ukrainas është i guximshëm; ata janë të gatshëm të rezistojnë dhe të vdesin për vendin e tyre.

Me sa duket, Putin-i nuk e besonte këtë. Por doli që “Presidenti i televizionit”, Zelensky, që kishte një pëlqim prej njëzet e pesë për qind para luftës – i cili ishte plotësisht i merituar, sepse ai nuk po tregonte të ishte në gjendje të qeveriste – tani rezulton se pëlqimi ka vajtur nëntëdhjetë për qind. Doli se ai kishte këllqe. Ai është trim i pabesueshëm. Për më tepër, të kesh një kompani prodhimi televiziv që drejton një vend nuk është një ide e mirë në kohë paqeje, por në kohë lufte, kur lufta e informacionit është një nga qëllimet, ta kesh atë, rezulton të jetë përrallore.

Surpriza më e madhe për Putin-in, natyrisht, ishte Perëndimi. Të gjitha marrëzitë rreth asaj se si Perëndimi është dekadent, Perëndimi ka mbaruar, Perëndimi është në rënie, se si është një botë shumëpolare dhe Kina në ngritje etj., e gjithë kjo rezultoi e kotë.

Guximi i popullit ukrainas, trimëria, zgjuarsia e qeverisë ukrainase dhe presidentit të saj, Zelensky, e nxitën Perëndimin të kujtonte se kush ishte. Dhe kjo e tronditi Putin-in! Kjo është kur ndodh llogaritja e gabuar.

Si e përkufizoni “Perëndimin”?

Perëndimi është një seri institucionesh dhe vlerash. Perëndimi nuk është një vend gjeografik.

Rusia është evropiane, por jo perëndimore. Japonia është perëndimore, por jo evropiane.

“Perëndimorë” do të thotë shtet i së drejtës, demokraci, pronë private, tregje të hapura, respekt për individin, diversitet, pluralizëm të opinionit dhe të gjitha liritë e tjera që gëzojmë, të cilat ndonjëherë i marrim si të mirëqena. Ndonjëherë harrojmë se nga kanë ardhur. Por kjo është ajo që është Perëndimi. Dhe ai Perëndim, të cilin ne e zgjeruam në vitet nëntëdhjetë, sipas mendimit tim, përmes zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është ringjallur tani dhe i ka qëndruar përballë Vladimir Putin-it në një mënyrë që as ai, as Xi Jinping nuk e prisnin.

Nëse pandehnit se Perëndimi thjesht ishte në falimentim, sepse ishte në rënie dhe ndaj iku nga Afganistani; nëse pandehnit se populli ukrainas nuk ishte i vërtetë, nuk ishte një komb; nëse pandehnit se Zelensky ishte thjesht një aktor televiziv, një komedian, një hebre rusisht-folës nga Ukraina Lindore – nëse i hamendësonit të gjitha këto, atëherë ndoshta keni menduar se mund ta merrni Kievin brenda dy ose katër ditësh. Por të gjitha ishin të gabuara.

Le të diskutojmë mbi natyrën e regjimit rus. Putin-i erdhi njëzet e tre vjet më parë dhe kishte edhe figura të tjera të quajtura oligarkë nga vitet e Jelcinit, tetë ose nëntë prej tyre. Putini ua lexoi aktin, duke u thënë: “Ju mund të mbani pasuritë tuaja, por qëndroni larg politikës”. Ata që futën hundët në politikë, si Mikhail Khodorkovsky, u ndëshkuan, u dërguan në burg. Të tjerë u larguan nga vendi me sa më shumë nga pasuria e tyre. Por ne ende flasim për oligarkë. Cila është natyra e regjimit dhe njerëzve që janë besnikë ndaj tij? Kush është i rëndësishëm?

Bëhet fjalë për një diktaturë ushtarako-policore. Këta janë njerëzit që janë në pushtet. Përveç kësaj, ajo ka një grup të shkëlqyer njerëzish që drejtojnë makroekonominë. Banka qendrore, ministria e financave, drejtohen të gjitha në nivelin më të lartë profesional. Kjo është arsyeja pse Rusia ka këtë fortesë makroekonomike, këto rezerva valutore, fondin e emergjencave. Ka inflacion të arsyeshëm, një buxhet shumë të balancuar, borxh shumë të ulët shtetëror – njëzet për qind e PBB-së, më i ulëti i çdo ekonomie të madhe. Ajo kishte menaxhimin më të mirë makroekonomik.

Pra, ju keni në krye një diktaturë ushtarako-policore, me një ekip makroekonomik që drejton shtetin tuaj fiskal e ushtarak. Këta njerëz po bëjnë lëvizjet se kush e ka përparësinë. Për stabilitet makroekonomik, për rritje ekonomike, duhen marrëdhënie të mira me Perëndimin. Por, për pjesën e sigurisë ushtarake të regjimit, që është pjesa dominuese, Perëndimi është armiku, Perëndimi po përpiqet t’ju minojë, po përpiqet të përmbysë regjimin me një lloj të ashtuquajtur revolucion me ngjyra.

Ajo që ndodhi, është se ekuilibri midis këtyre grupeve u zhvendos më shumë në favor të njerëzve të sigurisë ushtarake, le ta quajmë atë pjesa bandite e regjimit. Dhe, sigurisht, është pjesa prej nga vjen vetë Putin-i.

Oligarkët nuk ishin kurrë në pushtet me Putin-in. Ai ua preu krahët. Ata punuan për të. Nëse nuk do të punonin për të, ata mund të humbnin paratë e tyre. Ai riorganizoi radhët e tyre. Ai i dha paratë. Ai lejoi shpronësimin për oligarkët e tij, njerëzit që u rritën me të, që bënin xhudo me të, që pinin verë me të.

Personat që ndodheshin në K.G.B. me të në Leningrad dikur, ose në Shën Petersburg-in post-sovjetik – ata njerëz u bënë oligarkë dhe me shpronësimet në favor të tyre u pasuruan. Disa prej njerëzve të hershëm të epokës së Jelcinit iu morën pronat, u larguan, ose u detyruan të largoheshin. Putin ndërtoi një regjim në të cilin prona private, edhe një herë, ishte e varur nga sundimtari. Të gjithë e dinin këtë. Nëse nuk e dinin, e mësonin mësimin në mënyrën më të vështirë.

Mjerisht, kjo i inkurajoi njerëzit lart e poshtë regjimit që të fillonin të vidhnin bizneset dhe pronat e njerëzve të tjerë. U bë një veprimtari e lirë për të gjithë. Nëse kjo nuk do të krijonte probleme për Putinin dhe miqtë e tij. Regjimi bëhej gjithnjë e më i korruptuar, gjithnjë e më pak i sofistikuar, gjithnjë e më pak i besueshëm, gjithnjë e më pak popullor. U zbraz. Kështu ndodh me diktaturat.

Por, njerëz të tillë dhe një regjim i tillë, mendoj do të duhej të kujdesej mbi të gjitha për pasurinë, për jetëgjatësinë, për pushtetin. Pse duhet të merreshin me Ukrainën?

Nuk është e qartë. Ne po flasim, më së shumti, për gjashtë persona, dhe sigurisht një person si vendimmarrës. Kjo është gjëja e regjimeve autoritare: ata janë të tmerrshëm në çdo gjë. Ata nuk mund t’i ushqejnë njerëzit e tyre. Ata nuk mund të ofrojnë siguri për njerëzit e tyre. Ata nuk mund t’i edukojnë njerëzit e tyre. Por ata duhet të jenë të mirë vetëm në një gjë për të mbijetuar. Nëse ata mund të mohojnë alternativat politike, nëse mund të detyrojnë të gjithë opozitën në internim ose burg, ata mund të mbijetojnë, pavarësisht sa të paaftë, të korruptuar apo të tmerrshëm janë.

E megjithatë, sado e korruptuar të jetë Kina, ata kanë nxjerrë dhjetëra miliona njerëz nga varfëria ekstreme. Nivelet e arsimit po rriten. Udhëheqësit kinezë e vlerësojnë veten me arritje të mëdha.

Kush e bëri atë? A e bëri këtë regjimi kinez? Apo shoqëria kineze? Le të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë që komunistët kinezë të shpronësojnë, si të thuash, punën e palodhur, sipërmarrjen, dinamizmin e miliona e miliona njerëzve në atë shoqëri. Ju e dini, në rastin rus, Navalny u arrestua.

Ky është Alexey Navalny, rivali më i gjallë politik i Putinit, i cili u helmua nga F.S.B dhe tani është në burg.

Po. Ai u burgos në prag të pushtimit të Ukrainës. Në retrospektivë, mund të jetë se kjo ishte një përgatitje për pushtimin, mënyra sesi Ahmad Shah Massoud, për shembull, u hodh në erë në Afganistanin Verior (nga Al Kaeda) pikërisht përpara se të rrëzoheshin Kullat Binjake.

Keni mohimin e alternativave, shtypjen e çdo opozite, arrestimin, internimin dhe pastaj mund të përparoni si elitë, jo me rritje ekonomike, por thjesht me vjedhje. Dhe, në Rusi, pasuria del nga toka!

Problemi për regjimet autoritare nuk është rritja ekonomike. Problemi është se si të paguhet patronazhi për elitat e tyre, si të mbahen besnikë elitat, veçanërisht shërbimet e sigurisë dhe nivelet e larta të korpusit të oficerëve. Nëse paratë thjesht rrjedhin nga toka në formën e hidrokarbureve, diamanteve ose mineraleve të tjera, shtypësit mund të emancipojnë veten nga të shtypurit. Shtypësit mund të thonë, “ne nuk kemi nevojë për ju. Ne nuk kemi nevojë për taksat tuaja. Ne nuk kemi nevojë që ju të votoni. Ne nuk mbështetemi tek ju për asgjë, sepse kemi naftë dhe gaz, paladium dhe titan”. Ata mund të kenë zero rritje ekonomike dhe ende jetojnë me stil jetese tejet të lartë.

Nuk ka kurrë një kontratë sociale në një regjim autoritar, ku njerëzve u thuhet “Ne do të marrim rritjen ekonomike dhe një standard më të lartë jetese dhe do t’jua lëmë lirinë”. Nuk ka kontratë. Regjimi nuk siguron rritje ekonomike dhe nuk thotë “Oh, e dini, ne po shkelim premtimin tonë. Ne premtuam rritje ekonomike në këmbim të lirisë, ndaj do të japim dorëheqjen tani sepse nuk e përmbushëm kontratën”.

Të fundit nga rubrika
- Advertisment -
Google search engine

Më të lexuarat

Më të shikuarat