Google search engine
BallinaLajmeShqipëriBorxhi publik – Bekimi “i mallkuar” i Shqipërisë

Borxhi publik – Bekimi “i mallkuar” i Shqipërisë

Alexander Hamilton, një prej etërve themelues të SHBA-ve dhe njeriu i cili ndërtoi gjithë sistemin financiar amerikan, në principet e tija, e përmend borxhin publik – kur ai është i mirë – si një bekim.

Problemi empirik, është të përcaktojmë se deri në çfarë niveli duhet shkuar, që ky bekim, të mos kthehet në mallkim!

Në Shqipëri, kuota e kësaj barre mbi ekonominë, e ka kaluar tashmë 80%.

Nëse bekim (apo mallkim), këtë e sqaron për Albanian Post, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, i cili flet edhe mbi rreziqet që huamarrja mund të sjellë, duke qenë se e ka tejkaluar më tepër seç duhet, masën e përcaktuar si të shëndetshme për vendin.

Në një shpjegim të thjeshtëzuar që Xhepa bën mbi borxhin, ai arsyeton se niveli i pranueshëm për vendet e eurozonës, apo për vendet e zhvilluara, shkon deri në 90%. Nga ana tjetër, për vendet të cilat janë në zhvillim (si Shqipëria), kuota duhet të jetë sa gjysma e nivelit 90%.

Pra, rreth 45%! Ndërkohë që Shqipëria, e ka mbyllur vitin e shkuar me një kuotë prej mbi 80%.

“Nivele të tilla, janë seriozisht shqetësuese”, përmbledh eksperti. “Në nivele të larta, pritet të mbetet borxhi edhe në vitet e ardhshme, pavarësisht faktit se do të ketë ulje të tij”.

Vetë ligji organik i buxhetit të shtetit në Shqipëri, që prej vitit 2003, parashikonte që borxhi të mos e tejkalonte shifrën prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër, sigurisht u shkel.

Rishikimi – Sërish shkelje

Në vitin 2014, Shqipëria vendosi rregulla të reja të kufijve të huamarrjes publike. Mirëpo, ashtu siç shpjegon Xhepa, edhe këto ligje të reja, u shkelën!

“Kjo ngre dhe një shqetësim parimor”, vijon ai. “Është e vështirë të gjenden përcaktime ligjore kufizuese për qeveritë në praktikën e huamarrjes. Edhe sikur të vendoseshin kufizime kushtetuese, sërish qeveritë nuk do të respektonin rregullin, pasi përgjegjshmëria dhe llogaridhënja janë larg standarteve të një shoqërie demokratike”.

Duke implikuar edhe aspektin shoqëror të cunguar në kuptimin e borxhit dhe tendencave që sjell, Xhepa rendit edhe disa rreziqe potenciale, që huamarrja publike e lartë sjell.

Duke pasur edhe një ndikim nga normat shpesh edhe negative të huamarrjes, kostot e shërbimit të borxheve kanë qenë të lehtësuara.

Gjatë një viti, mesatarisht, paguhen rreth 400 milionë euro. Por, ka edhe raste kur në vite të caktuara, mund të paguhet dyfishi i kësaj shume. Pikërisht për këtë fakt, në një rast potencial të rritjes së normave të interesit në tregje, do të ketë një rritje edhe në koston e shërbimit të borxhit.

Po kështu, një tjetër rrezik, mund të jetë edhe ai i një zhvlerësimi monetar, i cili mund të bëjë që kostoja e blerjes së monedhës evropiane për të shlyer detyrimet, të shtrenjtohet.

Të dy këto rrethana hipotetike, por të mundshme, mund të bëjnë që kostot e borxhit të rriten.

Aspekte të tilla i paralajmëron edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportet vjetore që nxjerr.

Ndaj, duhen pasur parasysh.

Rruga jo e shëndetshme

Vërtetësia e faktit, qëndron në argumentin se nëpërmjet borxheve publike, arrihet të investohet më shumë në sektorë të caktuar, duke stimuluar ekonominë dhe duke e rritur efektshmërisht atë.

Mirëpo, sipas shpjegimit të Xhepës, kjo është një rrugë jo e shëndetshme.

“Politikat e rritjes ekonomike përmes borxheve publike janë një rrugë jo e shëndetshme, për arsye të kalimit të këtyre pragjeve të pranueshmërisë. Nga ana tjetër, kjo minon përpjekjet shumë më serioze të gjetjes së rrugëve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe që në afat të gjatë janë rruga e vetme e përparimit të një vendi.

Rruga më e mirë për rritje ekonomike për të, është ajo e reformave për sa i përket klimës së biznesit. Zgjerimi i sektorit privat, po ashtu e stimulon ekonominë.

Kjo, pasi krijohet një ekosistem biznesi, i cili është sa stimulues, aq edhe dinamik.

“Për shembull, është e palejueshme që prej vitesh, vendi ynë t’i mëshojë stimulit të shtuar fiskal si burimi kryesor, madje i vetëm i rritjes”, përmend Xhepa.

Vetë themeluesi i kësaj doktrine madje, John Maynard Keynes, e rekomandonte borxhin publik si një instrument shumë të përkohshëm dhe në raste të krizave serioze ekonomike sipas ekonomistit.

Ndërsa, Shqipëria, ka gati një dekadë, ku sytë i mban vetëm tek rritja përmes stimulit fiskal. E gjithë kjo, bën që huamarrja, të shkojë në territore të tilla të rrezikut, ku gjendet vetëm sot.

Në një territor ku kuota e borxhit, është thuajse në dyfishin e asaj të rekomanduar dhe, në një kuotë ku, ai bekim i mundshëm i një borxhi, kthehet në mallkimin real të vendit.

Të fundit nga rubrika
- Advertisment -
Google search engine

Më të lexuarat

Më të shikuarat